Shënohet Dita Botërore e Refugjatëve
Prishtinë, 18 qershor - Ministria e Punëve të Brendshme së bashku me UNHCR sot shënuan Ditën Botërore të Refugjatëve si dhe u bë përurimi i Qendrës së Azilit e sapo rinovuar në Vranidoll.
Në një fjalë rasti ministri i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla theksoi se Kosova si vend nga i cili para 23 vitesh kanë dalur afër 1 milion refugjatë, sot ka të hartuar një sërë dokumentesh ligjore me qëllim të trajtimit të refugjatëve në harmoni me standardet ndërkombëtare në fushën e lirive dhe të drejtave të njeriut e të drejtave të refugjatëve në veçanti.
“Si popull jemi përballur me të njëjtën situatë në vitet ‘98-’99, kur afër 1 milion shqiptarë dhunshëm u dëbuan nga shtëpitë tyre dhe u strehuan në vendet fqinje por edhe më larg. Ne njohim më mirë se kushdo tjetër ndjenjën e të qenurit larg nga shtëpitë e tokat tona duke mos ditur se do të kthehemi ndonjëherë në to. Momentet e largimit nga vendi ynë janë menduar si të fundit sepse qëllimi ishte siguria dhe mirëqenia në vendet përreth”-tha ministri Sveçla.
Ministri Sveçla në fund u zotua se bashkëpunimi do të vazhdojë ngushtë me të gjitha organizatat që angazhohen për mbrojtjen e refugjatëve në Kosovë e veçanërisht me UNHCR, që ndihmoi sot në inaugurimin e objektit të renovuar si dhe theksoi se do të punojë të ofrojë siguri e mirëqenie për të gjithë të strehuarit që aktualisht janë këtu e të tjerët që mund të vijnë pas tyre që të kenë trajtim me dinjitet këtu dhe kudo nëpër Kosovë.
Në këtë ceremoni morën pjesë edhe shefi i misionit të UNHCR në Kosovë, z. Erol Arduc, përfaqësuesi i Lartë nga Zyra e BE-së në Kosovë, z. Luigi Brusa, Koordinatorja e OKB-së për Zhvillim në Kosovë, znj. Ulrika Richardson si dhe zyrtarë të tjerë të lartë Kfor-it, UNHCR-it dhe MPB-së.
Duhet theksuar se renovimi i Qendrës së Azilit u financua përmes Projektit Rajonal të BE-së “Adresimi i Sfidave të COVID-19 në reagimin ndaj Migrantëve dhe Refugjatëve në Ballkanin Perëndimor”.