Shënohet 11- vjetori i themelimit të Policisë së Kosovës
Prishtinë, 6 shtator - Sot, në ambientet e hotelit Grand në Prishtinë, solemnisht u shënua 11- vjetori themelimit të Policisë së Kosovës. Në këtë manifestim solemn, morën pjesë ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, u.d. i Drejtorit të Përgjitshëm të Policisë së Kosovës, gjeneral Behar Selimi, komandanti i KFOR-it, Erhard Buhler, shefi i Shtabit të Përgjitshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneral Sylejman Selimi, si dhe përfaqësues vendorë, të misioneve diplomatike dhe ndërkombëtare në Republikën e Kosovës.
Në fillim të pranishmëve me një fjalë rasti iu drejtua ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi i cili tha: Kam nderin dhe kënaqësinë që me rastin e 11- vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, të ju përgëzoj për një vit shumë të sukseshëm në detyrën Tuaj të shenjtë në shërbim të ruajtjes së rendit dhe ligjit në gjithë vendin tonë.
Duke folur për sukseset dhe sfidat e Policisë së Kosovës, ministri Rexhepi tha se Policia e Kosovës vazhdon të jetë shembull i ndërtimit të institucioneve shtetërore me besueshmëri të lartë te qytetarët dhe ky besim dëshmohet çdo ditë dhe në çdo anë të territorit të Kosovës me punën tuaj shumë afër komunitetit. Policia e Kosovës është në shërbim të qytetarëve të vendit dhe duhet të vazhdoj të ketë fokusin kryesor në rritjen e këtij besimi dhe avancimin e bashkëpunimit me komunitetin. Ndryshimet në qasje dhe sidomos transformimi i këtij institucioni nga një forcë reaguese në një forcë preventive, është duke dhënë rezultate në punën tuaj ditore. Këto ndryshime, kërkojnë një përkushtim të vazhdueshëm, si dhe ngitje të kapaciteteve në baza të rregullta. Si rjedhojë, ne do të vazhdojmë tu përkrahim në projekte të reja për trajnime të vazhdueshme dhe hapje të perspektivës për forca dhe energji të reja, duke u përshtatur me nevojat e përditshme. Policia e Kosovës është një institucion i ri dhe shumë dinamik, andaj inkurajoj secilin nga Ju, që ti vazhdojë angazhimet në ngritjen profesionale dhe adaptimin me kërkesat e reja të organizatës.
Në vazhdim, ministri Rexhepi foli edhe për bashkëpunimin e Policisë së Kosovës me partnerët ndërkombëtarë dhe theksoi se Ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë po vazhdon me zhvillimin e politikave strategjike për Policinë e Kosovës, gjithnjë në përputhje me bazën ligjore, prioritetet nacionale dhe institucionale, nevojat lokale dhe rekomandimet e partnerëve. Me qëllim të adresimit të sfidave institucionale dhe operacionale të hasura në aspektin e planifikimit strategjik dhe ofrimit të shërbimit, Policia e Kosovës tashmë ka finalizuar Planin Zhvillimor Strategjik 2011-2015. Zbatimi i këtij Plani do të jetë një nga prioritetet kryesore të menaxhmentit të Policisë së Kosovës, prandaj me të drejtë presim që Policia e Kosovës shumë shpejtë ti demonstrojnë rezultatet e para tek partnerët tanë, bartësit e interesit, shoqërisë civile dhe qytetarëve të vendit, me qëllim të jetësimit të përkushtimit tonë për të ndërtuar një vend dhe shoqëri ku sundon ligji i bazuar në vlerat demokratike dhe institucionale të vendeve të zhvilluara perëndimore.
Duke i përkujtuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës të rënë në krye të detyrës, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi theksoi se në një ditë të këtillë, me respekt për veprat që lanë pas i kujtojmë të gjithë ata që kanë rënë në krye të detyrës duke mbrojtur rendin dhe sigurinë publike, duke e luftuar krimin dhe dukuritë tjera negative në vend. Të nderuar oficerë të Policisë së Kosovës. Jam i vetëdijshëm se tash për tash detyra që ju e kryeni është një sakrificë dhe shpërblimi për të nuk është në nivelin e duhur, por ju siguroj se jam duke punuar që nga dita e parë në realizimin e përgjegjësive dhe prioriteteve tona të përbashkëta, si dhe për një përmirësim të vazhdueshëm të kushteve të punës dhe beneficioneve tjera në përputhje me Ligjin për Policinë. Punë të mbarë dhe suksese për Ju, begati për familjet Tuaja dhe siguri për qytetarët tanë, përfundoi fjalën e tij ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi para të pranishmëve me rastin e shënimit të 11- vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës.
Në vazhdim të pranishmit i përshëndeti edhe u.d. i Drejtorit të Përgjitshëm të Policisë së Kosovës, gjeneral Behar Selimi, i cili para të pranishmëve tha se 6 Shtatori shënohet si ditëlindja e Policisë së Kosovës. Në eksperiencën e saj 11 vjeçare, Policia e Kosovës është transformuar nga gjenerata e 176 kadetëve policorë, në një shërbim policor modern të kompletuar me të gjitha komponentat, sipas modeleve dhe standardeve më të mira policore. Zyrtarët e gjeneratës I-rë të Policisë së Kosovës i përshkruajnë me emocione ditët e para të punës në vitin 1999, kur kishte një vakuum institucional, por puna e tyre ishte e suksesshme falë përkrahjes së madhe që patën nga qytetarët e Kosovës, përkrahje kjo e cila dita-ditës është duke u forcuar edhe më shumë. Kam kënaqësinë të konstatojë se rezultatet e kohëve të fundit në parandalimin dhe luftimin e krimit e veçanarisht të krimit të organizuar, drogave, trafikimit me qenie njerëzore, kontrabandës të të gjitha llojeve, menaxhimin dhe kontrollin më efikas të kufirit shtetëror, kanë treguar një ngritje të vlerësimit të nivelit të sigurisë në Kosovë dhe vazhdimin e forcimit të ndjenjës së sigurisë së qytetarëve të të gjitha komuniteteve. Për të gjitha rezultatet tona, ne u jemi falënderues në radhë të parë familjarëve të policëve të rënë në detyrë, që dhanë djemtë dhe bijat më të mirë të këtij vendi, të cilët do ti kujtojmë përherë.
Duke folur për reformat në Policinë e Kosovë, gjeneral Behar Selimi tha se reformat dhe ndryshimet e vazhdueshme në polici janë te mundshme, falë personelit policor me zyrtarë shumë të përkushtuar dhe të guximshëm për t'u përballur me çfarëdo situate dhe që vazhdojnë me dinjitet ta luftojnë çfarëdo joshje korruptive që u bëhet, pavarësisht kushteve jo shumë të mira të punës. Në vitet e ardhshme, ne do të zhvillohemi mbi bazën e të arriturave, duke zbatuar një seri të përmirësimeve gjithëpërfshirëse dhe sfiduese, të cilat përqafojnë udhëheqjen e Policisë së Kosovës bazuar në objektiva dhe performancë, në vlerat më të mira që janë të disenjuara që të reflektojnë ndryshime në mjedis, shoqëri, legjislacion dhe në metodologjitë bashkëkohore të policimit. E siguroj gjithë personelin e Policisë së Kosovës se ne do të bëjmë përpjekje maksimale për të organizuar dhe planifikuar veprimtarinë policore, do ti përmirësojmë vazhdimisht kushtet e punës dhe do të kujdesemi pandërprerë për mirëqenien e të gjithë të punësuarve, në mënyrë që të jemi shembull më i mirë jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë, tha ndër të tjera u.d. i Drejtorit të Policisë së Kosovës, Behar Selimi.