Shemsi Nuhiu ekstradohet në Serbi
Pekin, 22 mars - Pjesëtari i Grupit të Gjilanit, Shemsi Nuhiu, i cili është arrestuar në Zvicër në bazë të një urdhër-arresti serb, është ekstraduar në Serbi, mbrëmjen e së mërkurës.
Për shkak të arratisë, Nuhiu është gjykuar në mungesë, nën akuzat se ai dhe 16 pjesëtarë të tjerë të Grupit të Gjilanit kanë kryer krime lufte kundër civilëve serbë në Gjilan.
Në aeroportin e Beogradit, Nuhiu ka arritur pak pas orës 21 dhe, nën përcjelljen e pjesëtarëve të Interpolit dhe xhandarmërisë serbe, është transferuar në burgun e qarkut në Beograd, raportojnë mediat serbe.
Nuhiu është arrestuar në Zvicër para një viti, ndërsa vendimi i Gjykatës Federale zvicerane për ekstradimin e tij ka hyrë në fuqi më 7 mars.
Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se me kapjen dhe ekstradimin e pjesëtarit të Grupit të Gjilanit të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të jetë e kënaqur drejtësia.
Ai ka thënë se Grupi i Gjilanit akuzohet për vrasjen e më shumë se 150 qytetarëve serbë dhe të kombësive tjera joshqiptare në Gjilan.
Autoritetet kosovare kanë kërkuar nga shteti zviceran të mos ekstradojë në Serbi Shemsi Nuhiun. Për shkak të mosanëtarësimit në Interpol, Kosova nuk mund të kërkojë shfuqizimin e fletarrestimeve të lëshuara nga Serbia, të cilat i konsideron politike.
/rel/