Shembja e dheut në Korishë mund të jetë fatale për banorët
Asambleisti i Vetëvendosje!-s në Prizren, Arbër Rexhaj, tha se në pjesën e sipërme te fshatit Korishë javëve të fundit dheu ka përbirë disa objekte, ndërsa ka prekur edhe shtëpitë.
Prona dhe sidomos jeta e qytetarëve është në rrezik. Nëse nuk intervenohet brenda një jave, Korisha rrezikon ta pësojë njëjtë si Restelica, madje edhe më keq. Drejtoria e Emergjencës duhet të reagojë menjëherë dukë bërë evakuimin e dy lagjeve të këtij fshati, ashtu që ti parandalojmë dëmet në njerëz nga një katastrofe të mundshme, tha ndër të tjera Rexhaj, duke shtuar se Drejtoria e Emergjencave po mundohet me një ekskavator ta sanojë gjendjen, por një gjë e tillë është e pamundur.
Drita Millaku, asambleiste e Lëvizjes në Prizren, i bëri apel Komunës dhe drejtorive përkatëse që të intervenojnë sa më shpejt në këtë fshat.
Shpëtimi i jetës dhe pronës së qytetarëve është obligim për të gjithë ne, prandaj kërkojmë ndihmën e të gjithëve ashtu që të rritet presioni publik ndaj institucioneve gjegjëse. Nëse nuk intervenohet menjëherë, përgjegjëse për gjendjen atje do të jenë institucionet, theksoi Millaku.
Lëvizja Vetëvendosje! kërkon nga Komuna e Prizrenit që urgjentisht ti qaset këtij problemi me seriozitetin më të madh, sepse çdo vonesë mund të jetë fatale për shumë banorë të Korishës.