14 Maj 2024

Shefi i Shtabit të Ushtrisë Shqiptare gjeneral Bazo vizitoi Ministrinë e FSK-së

Prishtinë, 18 mars - Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës(FSK), gjenerallejtënant Kadri Kastrati priti sot, në ambientet e Ministrisë, shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura(FA) të Republikës së Shqipërisë, gjeneralmajor Jeronim Bazo si edhe delegacionin e lartë nga Shtabi i Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare. Shefi i Shtabit të FA të Republikës së Shqipërisë u prit me nderime të larta nga Togu Ceremonial i FSK-së. 

Gjeneralmajor Bazo dhe oficerët e tjerë të lartë të FA të Republikës së Shqipërisë zhvilluan takime të ndara me ministrin e FSK-së, z. Agim Çeku dhe komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, dhe pastaj, të dy delegacionet mbajtën takimin punues të përbashkët.

Të dy gjeneralët; Kastrati dhe Bazo në deklaratat për shtyp folën mbi raportet shumë të mira dhe vëllazërore ndërmjet dy institucioneve, si edhe gatishmërinë për ndihmë në mes FSK-së dhe Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Gjenerallejtënant Kadri Kastrati me këtë rast tha, se e kam kënaqësinë e veçantë që sot, e prita shefin e Shtabit të FA të Shqipërisë, gjeneralin Bazo, për një vizitë, që tregon bashkëpunimin tonë ndërmjet të FSK-së dhe FA të Shqipërisë, dhe që ky bashkëpunim gjithmonë ka qenë i shkëlqyeshëm.

“Ne me gjeneralin Bazo dhe delegacionin shqiptar biseduam për vazhdimin e bashkëpunimit të përbashkët jo vetëm ndërmjet nesh, por edhe në regjionin në kuadër të konceptit të NATO-s”.

Gjithashtu e informova gjeneralin Bazo edhe për Kapacitet e Forcës së Sigurisë së Kosovës, si

dhe për ngritjen e kapaciteteve të Forcave të Armatosura të Kosovës, dhe unë jam duke punuar që sa ma shpejtë t‘i krijojmë këto kapacitete. Ne kemi nevojë për bashkëpunim, kemi nevojë për përkrahje edhe në të ardhmen, që nuk do të mungojë e që Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë do të na ndihmojë në ngritjen e kapaciteteve tona. Ne biseduam edhe për projektet e përbashkëta që ne kemi nevojë shumë, sepse objektivi ynë është që Forcat e Armatosura të Kosovës të jenë edhe pjesë e Familjes së NATO-s, dhe FA të Republikës së Shqipërisë janë anëtare të NATO-s dhe kjo neve do të na shërbejë që me eksperiencën e tyre, ne ta kalojmë atë rrugë sa më shpejtë që është e mundur dhe të jemi aktiv aty.

Në fund, gjeneral Kastrati falënderoi shefin e Shtabit të FA të Shqipërisë, gjeneralin Bazo, për gatishmërinë e tij dhe të Shtabit të Përgjithshëm për ofrimin e ndihmës për ngritjen profesionale të FSK-së.

Ndërsa, gjeneralmajori Jeronim Bazo, fillimisht falënderoi Komandantin dhe Ministrin e FSK-së, për pritjen, si edhe shprehu gatishmërinë e FA për ta ndihmuar FSK-në, edhe në të ardhmen në të gjitha drejtimet, duke qenë së FA të Shqipërisë janë edhe anëtare me të drejta të plota në NATO.

“Vetë vizita ime, rikonfirmojë që është një hap i ri i marrëdhënieve ekzistuese të shkëlqyera që ekzistojnë midis dy vendeve dhe FA të Republikës së Shqipërisë dhe FSK-së”.  Gjeneral Kastrati njoftoi për atë që biseduan, por unë shpreha nga ana ime se jam tepër i gëzuar që u ndodha në këtë vizitë në një moment tepër të rëndësishëm dhe interesant, sfidues dhe tepër frytdhënës në historinë e zhvillimit të FSK-së. Ky është një moment i rëndësishëm që hap shpresë për një rrugëtim të ri, për rritjen e kapaciteteve dhe rritjen e bashkëpunimit dy palësh me vendet si Shqipëria dhe të tjerat.

Gjeneral Bazo, në fund premtoi se: “Forcat tona të Armatosura dhe Ministria e Mbrojtjes dhe Republika e Shqipërisë në përgjithësi do të angazhohen seriozisht për të dhënë një impuls të ri, marrëdhënieve dy paleshe, duke u përqendruar në bashkëpunimin e mirëfilltë në fushën e arsimimit dhe në fushën e trajnimit ushtarak si dhe duke ndarë përvojën tonë modeste në fushën e integrimit Euro-Atlantik. Për fat të mirë kemi një vullnet politik për të ecur në këtë rrugë të bashkëpunimit dypalësh . Mua dhe gjeneral Kastratit s’na mbetet gjë tjetër vetëm t’i zbatojmë maksimumin tonë për t’i quar më përpara në fushën e profesionalizmit, fushën e bashkëpunimit dhe fushën e integrimit të arsimimit dhe integrimit ushtarak” tha në fund, shefi i Shtabit të FA të Republikës së Shqipërisë gjeneralmajor Jeronim Bazo. 

Në pritjen e delegacionit ushtarak të FA të Republikës së Shqipërisë, morën pjesë, gjeneralët: Bashkim Jashari, (inspektor gjeneral i FSK-së) Gëzim Hazrolli, (zëvendës komandant i Komandës së Forcave Tokësore ) Enver Cikaqi, (komandant i KDS-së) dhe nënkolonel: Hasan Hoxha, Rifat Sylemani dhe Agron Bajrami.

Ndërsa, në delegacionin e Shqipërisë morën pjesë edhe kolonel Arben Toska, kolonel Idriz Haxhia, kolonel Nazmi Cahani  dhe kapiten Evis Tollja.

Delegacioni i Ushtrisë shqiptare pas vizitës në Ministrinë e FSK-së vazhdoi vizitën e punës edhe në Qendrën për Studime Universitare të FSK-së, në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, dhe në Regjimentin e Mbrojtjes Civile në Pomozotin, ku gjeneralmajor Bazo zhvilloi takime me stafin e lartë të KFT-së dhe të RMC-së. Delegacioni ushtarak i Republikës së Shqipërisë, nesër përfund vizitën zyrtare në Kosovë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)