Shefi i Eulexi-it, vizitoi Gjykatën Themelore në Mitrovicë
Prishtinë, 11 mars - Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë- (Eulex), Gabriele Meucci, ka vizituar Gjykatën Themelore të Mitrovicës, punëtorët e së cilës tash e shtatë vite punojnë në objektin e gjykatës në Vushtrri.
Me këtë rast, ai u prit nga kryetarja e gjykatës, znj. Kada Bunjaku-Perçuku, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, z. Shyqyri Syla dhe një pjesë e gjyqtarëve të kësaj gjykate.
Në këtë takim që ishte i pari i këtij lloji, z.Meucci u njoftua më persëafërmi me punën e gjyqtarëve, prokurorëve e poashtu me gjendjen dhe vështirësitë që ballafaqohen ata dhe personeli i prokurorisë dhe Gjykatës Themelore në Mitrovicë.
Siç jeni në dijeni punonjësit e sistemit të drejtësisë në Mitrovicë nga viti 2008 e këndej, ku jemi larguar me dhunë nga objekti i jonë në veri të Mitrovicës, punojmë në kushte jashtëzakonisht të vështira për punë. Por, edhe përkundër kësaj, gjyqtarët e kësaj gjykate dhe personeli kanë shënuar rezultate të mira dhe efikasitet në kryerjen e punëve, ka deklaruar kryetarja e gjykatës, znj. Bunjaku-Perçuku.
Ajo gjithashtu ka theksuar bashkëpunimin e mirë që ka personeli i gjykatës me pjesëtarët e Eulex-it që operojnë në veri të Mitrovicës.
Në anën tjetër, Shefi i Eulex-it z. Meucci duke theksuar lartë këtë bashkëpunim, tha se gjyqtarët dhe personeli i gjykatës kanë bërë një punë të rëndësishme për komunitetin.
Në pyetjet e gjyqtarëve, z. Meucci tha: Siç e dini, ne po ndihmojmë, po asistojmë në implementimin e marrëveshjes të arritur ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe shpresojmë se kjo së shpejti do të vihet në zbatim.
Ai shtoi: Kam ardhur këtu ti dëgjoj mendimet e juaja se si e parashihni të ardhmen, sepse fundi i fundit ne e kryejmë punën tonë si mision, por ju jeni aktorë në vendngjarje, jeni në skenë. Jeni duke e bërë një punë thelbësore, një punë shumë të rëndësishme për komunitetin.
Ndërkohë, kryeprokurori z. Syla dhe disa nga gjyqtarët prezentë në takim e informuan shefin e Eulex-it edhe me disa rrethana sa i përket vendosjes së tyre në objektin e gjykatës në veri të Mitrovicës, e poashtu u shprehen optimist për funksionim normal të këtij sistemi në një të ardhme të afërt.