SHBA vazhdon të mbështes Ministrinë e Brendshme
Prishtinë, 4 qershor - Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi dhe zëvendësministri Sasa Rasic, pritën në takim përfaqësuesin e Byrosë Ndërkombëtare të Sigurisë, Zyra e Bashkëpunimit për Kontrollin e eksporteve, Joe Baldwin.
Mbështetja e vazhdueshme dhe bashkëpunimi i shkëlqyer i Qeverisë së Shteteve të Bashkuara për Qeverinë e Kosovës në përgjithësi dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme në veçanti, u vlerësua lartë nga Ministri Rexhepi.
Qeveria e Shteteve të Bashkuara i ka ofruar mbështetje të madhe Ministrisë sidomos përmes projekteve konkrete të cilat kanë ndihmuar në ngritjen e kapaciteteve dhe në përmirësimin e infrastrukturës përmes pajisjeve të ndryshme, tha ministri Rexhepi.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, njëherësh Koordinator Nacional i Strategjisë Kombëtare për Menaxhim të Integruar të Kufirit, Sasa Rasic i cili ishte i pranishëm në takim, theksoi rëndësinë e Qendrës Kombëtare për Menaxhim të Kufirit, e cila u mbështet nga Qeveria Amerikane.
MIK nuk është vetëm prioritet teknik i Qeverisë tonë por edhe prioritet politik ngase është standard Evropian dhe ne jemi të përkushtuar në plotësimin e këtyre standardeve, theksoi Rasic.
Arritjet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, sidomos në fushën e MIK u cilësuan si mbresëlënëse nga Baldwin.
Ju jeni dëshmuar si partner i shkëlqyer dhe ne vlerësojmë frymën bashkëpunuese, andaj edhe sot ë vazhdojmë të mbështesim Ministrinë e juaj sidomos me trajnime dhe me pajisje edhe në të ardhmen, përfundoi Baldwin.