SHBA të përkushtuara për forcimin e rendit dhe ligjit në Kosovë
Prishtinë, 26 shtator - Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, priti në një takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie.
Në këtë takim u bisedua për bashkëpunimin në mes të dyja shteteve në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit.
Në të gjitha proceset nëpër të cilat kemi kaluar në shtet-ndërtimin e Kosovës, gjithnjë kemi pasur mbështetjen e ShBA-ve dhe për këtë gjithnjë do të jemi falënderues dhe mirënjohës, tha ministri Hyseni.
Gjithashtu, në takim u tha se bashkëpunimi në mes të policive dhe institucioneve të zbatimit të ligjit të të dyja vendeve, duhet zgjeruar.
Ministri Hyseni tha se është e rëndësishme të ruhet partneritetit strategjik me ShBA-të në luftimin e krimit, ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, trafikimit me qenie njerëzore, etj.
Ndërsa, ambasadori amerikan Greg Delawie, tha se SHBA-të janë të përkushtuara për të bashkëpunuar me Kosovën në avancimin e demokratizimit të vendit dhe mbështetjen në forcimin e rendit dhe ligjit në Kosovë.