SHBA premton bashkëpunim edhe në të ardhmen me FSK
Prishtinë, 25 shkurt - Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK)gjenerallejtënant Kadri Kastrati, priti sot, zëvendësshefin e Zyrës së Gardës Kombëtare në Uashington, gjenerallejtënant Joseph Lengyel, në një takim pune.
Me këtë rast, komandanti i FSK-së, gjeneral Kastrati e ka njoftuar gjeneralin Lengyel, me të arriturat e deritashme, me sfidat dhe me objektivat e FSK-së, për këtë vit.
Ai e ka falënderuar gjeneralin Lengyel, për ndihmën që po jep Ushtria Amerikane për FSK-në, në fushën e trajnimeve, donacioneve, përmes stafit të oficerëve që janë në FSK dhe përmes ekipit Këshillues të NATO-s.
Po ashtu, gjeneral Kastrati vlerësoi lartë bashkëpunimin e mirë me SHBA-n, me theks të veçantë për bashkëpunimin e mirë dhe intensiv me Gardën Kombëtare të Ajovës, si në këmbimin e delegacioneve, në fushën e shkollimit dhe në atë të trajnimeve, fusha këto, që janë me interes për FSK-në.
Gjeneral Kastrati po ashtu e njoftoi delegacionin amerikan, edhe për rëndësinë e Rishikimit të Sektorit Strategjik të Sigurisë në Kosovë, gjatë këtij viti, ku do të përcaktohet edhe struktura e ardhme e FSK-së.
Gjenerallejtënant Joseph Lengyel, zëvendësshef i Zyrës së Gardës Kombëtare, ka shprehur kënaqësinë e veçantë për arritjet e shpejta të FSK-së dhe për shkallën e profesionalizmit që ka arrit FSK-ja.
Gjeneral Lengyel u shpreh i kënaqur edhe për nivelin e mirë të bashkëpunimit mes ushtrisë së SHBA-ve dhe FSK-së, dhe premtoi që ky bashkëpunim do të jetë edhe më intensiv në fushat që janë me prioritet për FSK-në.