SHBA ofron 23 milionë dollarë për informacionet për terroristët
Washington, 4 qershor - Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë ofruar deri në 23 milionë dollarë për informacionet që mund të ndihmojnë autoritetet të kapin udhëheqësit e organizatave terroriste islamike në Afrikën Perëndimore.
Departamenti i Shtetit ka thënë se është hera e parë që Uashingtoni ofron shpërblime për informacione mbi liderët terroristë në rajon.
Një shumë prej 7 milionë dollarësh është ofruar për informacione mbi Abubakar Shekau-n, udhëheqësin e Boko Haram-it, grup me seli në Nigeri, i cili fajësohet për një seri sulmesh vdekjeprurëse.
Shpërblime janë ofruar edhe për informacione mbi liderët e Al Kaidës në Magrebin Islamik dhe të Lëvizjes për Unitet dhe Xhihad në Afrikën Perëndimore.
Mjetet ofrohen përmes Programit për Shpërblime të Departamentit amerikan të Drejtësisë.