SHBA: Goditet rrjeti ndërkombëtar i drogës i drejtuar nga shqiptarë
New York, 14 korrik - Një gjykatë federale e Bruklinit në New York ngriti akuza kundër 37 pjestarëve dhe bashkëpunëtorëve të një rrjeti ndërkombëtar të drogës, që sipas Departamentit amerikan të Drejtësisë, drejtohej nga shqiptarë me banim në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Evropë.
Sipas autoriteteve amerikane, shumica e të pandehurve u arrestuan sot në New York, New Xhersi, Kolorado dhe Florida. Agjentët federalë bënë sot bastisje në shtatë banesa të kontrolluara nga ky rrjet trafikimi, duke kapur 18 armë zjarri dhe qindra fishekë.
Dy të pandehur u arrestuan muajin e kaluar pas një shkëmbimi zjarri që lidhej me drogën, ndërsa disa të tjerë janë tashmë në burg për krime të mëparshme. Njëri nga drejtuesit e rrjetit të dyshuar u arrestua në Shqipëri dhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar ekstradimin e tij.
Personat e arrestuar dolën sot para një gjykatësi për t\'ju komunikuar akuzat.
Sipas aktakuzës të paraqitur sot nga autoritetet amerikane, rrjeti përfshin disa familje shqiptare të lidhur me qindra punotorë dhe klientë në tre kontinente.
Ky rrjet, i cili vepronte prej më shumë se një dekade, thuhet në një njoftim të Departamentit të Drejtësisë, mendohet se është përgjegjës për importimin dhe shpërndarjen e dhjetëra mijëra kilogramëve marihuanë nga Kanadaja dhe Meksika, sasi të konsiderueshme të MDMA-së nga Hollanda dhe Kanadaja, qindra kilogramëve kokainë nga Meksika, Kolumbia, Venezuela dhe Peruja, si dhe sasi të mëdha pilulash, si oksikodonë.
Droga shpërndahej në vende të ndryshme të Shteteve të Bashkuara, duke përfshirë New Yorkun, Kaliforninë, Xhorxhian, Koloradon dhe Floridën, si dhe në Kanada dhe Evropë.
Sipas aktakuzës dhe materialeve të tjera gjyqësore të paraqitura nga qeveria, hetimi katër-vjeçar zbuloi se shumica e marihuanës kontrabandohej nga Kanadaja dhe Meksika e fshehur në rimorkio traktorësh, zakonisht nga 50 kilogramë për ngarkesë, ndonjëherë edhe nga 600 kilogramë.
Dërgesat e marihuanës ruheshin në magazina dhe vende të tjera në lagjet Bruklin, Kuins dhe Bronks të Nju Jorkut para shpërndarjes.
Sasi të ndryshme kokaine marreshin nga burime në Shtetet e Bashkuara dhe eksportoheshin në Shqipëri dhe vende të tjera të Evropës të fshehura brenda makinave luksoze, nën kujdesin e shitësve gjoja të ligjshëm të makinave por që kontrolloheshin nga pjestarët e rrjetit.
Në kohën e arrestimeve të sotme, rrjeti dyshohet se ishte përfshirë në negociata për të marrë qindra kilogramë kokainë nga burime në Amerikën e Jugut për transportim nëpër Shtetet e Bashkuara për në Kanada dhe në Evropë.
Hetimi i qeverisë zbuloi më tej se rrjeti shfrytëzonte shërbimet e një organizate kanadeze për pastrimin e parave me qendër në Kanada, e cila akuzohet si përgjegjëse për pastrimin e më shumë se 15 milion dollarëve të ardhura nga narkotikëve në një vit të vetëm.
Zakonisht, pastruesit e parave i merrnin paratë e drogës në Nju Jork dhe ua dorëzonin ato furnizuesve kanadezë dhe meksikanë.
Nëse shpallen fajtorë, tre krerët e dyshuar të rrjetit, Gjavit Thaqi, Arif Kurti dhe Gjevelin Berisha, përballen minimumi me një dënim të detyrueshëm prej 25 vitesh burg dhe një dënim maksimal me burgim të përjetshëm.