SHBA do të tërheqë 570 trupa nga Kosova
Prishtinë, 9 mars - Deri nga fundi i muajit maj në Kosovë do të jenë rreth 830 ushtarë amerikanë në kuadër të Brigadës Shumëkombëshe të Lindjes.
Reduktimi do të jetë në madhësinë e një batalioni, pohon për gazetën Star and Stripe kapiteni Dan Murphy nga kjo Brigadë.
Murphy tha se oficerët mendojnë se numri i trupave që do të mbesin do të mjaftojë për vazhdimin e misionit.
Institucionet lokale, siç është policia e Kosovës, janë duke bërë vërtet një punë të mirë. Mund të them se stabiliteti i Kosovës është shumë i favorshëm tani, tha Murphy.
Star and Stripe është gazetë e përditshme për personelin ushtarak dhe grupet e tjera të interesit që kanë lidhje me ushtrinë amerikane.