Serbia vazhdon të sillet në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare
Prishtinë, 18 shkurt - Ministria e Drejtësisë vlerëson se vendimi i fundit i gjykatës serbe lidhur me dënimin e eprorëve të UCK-së, pjesëtarëve të Brigadës 138 Agim Ramadani : Anton Quni , Rrustem Berisha , Xhafer Gashi, Demush Gacaferri , Demë Maloku, Agron Jusufi, Rabit Alia dhe Sheqeri Maloku është një vendim tendencioz që tregon se Serbia vazhdon të sillet në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe realitetin e ri të krijuar në Kosovë.
Ky vendim bie ndesh edhe me parimet bazë të ligjshmërisë dhe juridiksionit që vendos drejtësinë në aspektin e së drejtës pozitive dhe kompetencës lëndore dhe territoriale, si dhe parimit të inter-operabilitetit në fushën e juridiksionit të së drejtës penale vendore dhe asaj ndërkombëtare.
Ky vendim shkel edhe parimin e të drejtës pozitive të vet shtetit serb, i cili në mase të madhe po keqpërdor edhe tolerancën e mekanizmave ndërkombëtar.
Prandaj, kjo situatë duhet të shqyrtohet me kujdes edhe nga mekanizmat ndërkombëtar në Kosovë, veçanërisht nga EULEX-i.
Ky rast, i cili cenon liritë dhe të drejtat e qytetarëve të Kosovës të garantuara me kushtetutën e vendit dhe me instrumentet relevante ndërkombëtare, kërkon një trajtim të qartë të tendencave provokuese të gjykatave që procedojnë raste në mungesë të juridiksionit dhe që funksionojnë në bazë të disa marrëveshjeve të tejkaluara.
Përfundimisht , logjika juridike e organeve gjyqësore serbe, është e tejkaluar dhe i takon ish sistemit të Republikës Federale të Jugosllavisë, e cila nuk ekziston më as si rregullim shtetëror, as si formë e regjimit shtetëror por as si sistem juridik nuk mund të trashëgoj bazë për veprim juridik ndaj qytetarëve që i takojnë një realiteti të ri të rregullimit shtetëror, administrativ e politik.
Institucionet e Kosovës në koordinim të plotë edhe me faktorin ndërkombëtar që ndërmjetëson rregullimin e raporteve ndërshtetërore dhe të fqinjësisë, do të kërkojnë të tejkalohen këto insinuata pa bazë ligjore dhe destabilizuese.
Krahas angazhimit për arritjen e një pakti për traktat paqeje dhe stabiliteti mes Kosovës dhe Serbisë do te duhej të ketë edhe një akt formal kërkim-faljeje nga ana e Serbisë, si dhe tërheqje te akteve akuzuese fiktive.
Për sistemin juridik te Kosovës vendime te kësaj natyre janë pa efekt juridik dhe kërkojmë nga Serbia ti tërheq ato. Po ashtu, kërkojmë nga faktori ndërkombëtar t`i bëjnë trysni Serbisë që të tërheq akte të tilla.
Institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të përdorin të gjithë mekanizmat në drejtim të anulimit të kërkesave për arrestime pa bazë juridike në Europol, Interpol etj.