Serbia synon ti kthejë në Kosovë 11 mijë refugjatë nga Mali i Zi
Mitrovicë, 28 korrik - Gjatë një vizite të cilën kryetari i listës Srpska, Sllavklo Simiq, ua ka bërë refugjatëve serbë në Mal të Zi, këta të fundit kanë kërkuar të kthehen në Kosovë, ndoshta jo në Gjakovë, Deçan e Pejë, por në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq e Graçanicë.
Tani kur janë duke u zhvilluar me intensitet të shtuar punimet në ndërtimin e vendbanimit Lugina e diellit, serbët janë në kërkim të familjeve serbe që do të duhej të ktheheshin për të jetuar në këtë vendbanim, për të cilin Serbia investon mbi 5 milionë euro, shkruan Zëri.
Në këtë vendbanim me 300 shtëpi, ku do të vendosen 1500 serbë, kryesisht refugjatë që jetojnë në Serbi, por njëkohësisht edhe serbët e ikur nga Kosova e të cilët jetojnë jo vetëm në Serbi, por edhe në Mal të Zi, refugjatët serbë në Mal të Zi kanë kërkuar që të jenë pjesë e këtij projekti, të cilin shqiptarët e kanë cilësuar kolonizues.