Serbia pranon, grupi i Zvonkos sulmoi KFOR-in
Beograd, 6 tetor - Shërbimet Sekrete serbe i kanë raportuar Bordit të Sigurisë së Parlamentit të Serbisë se në konfliktin e fundit me KFOR-in në pikëkalimin në Jarinjë, më 27 shtator, serbët ishin të udhëhequr nga një kontrabandues serb nga veriu i Kosovës, i quajtur Zvonko Veselinoviq dhe grupi i tij i përbërë nga rreth njëzet persona të armatosur.
Siç raporton e përditshmja serbe Blic, të dhënat e prezantuara në këtë seancë të Bordit të Sigurisë janë klasifikuar si sekrete shtetërore. Ato të dhëna gjithashtu kujtojnë se Veselinoviq është përmendur edhe më herët si një individ i dyshuar për vënien në flakë të barrikadave në Jarinjë.
Sipas shërbimit sekret të Serbisë, grupi i Veselinoviqit gjatë natës kishte ngritur një barrikadë shumë pranë kampit të KFOR-it. KFOR-i e kuptoi atë si provokim dhe në orë e hershme të mëngjesit pushtoi barrikadën, vendosi tela gjemborë dhe nisi tërheqjen e barrikadës.
Tri orë e gjysmë më vonë, një grup prej rreth 20 serbësh, të udhëhequr nga Veselinoviq, sulmuan KFOR-in ndërsa KFOR-i reagoi me shok-bomba dhe me plumba gome. Serbët ikën. Rreth mesditës, rreth njëmijë serbë vërshuan vendin e ngjarjes, raporton Blic të jetë thënë në Bordin e Sigurisë së Parlamentit të Serbisë.
Menjëherë pas kësaj, aty arrin një kamion me rreth 20 serbë të armatosur të grupit të Veselinoviqit të cilët gjithashtu kishin edhe gërshërë për prerjen e telave gjemborë.
Ata lëvizin drejt barrikadave. KFOR-i tenton ti pengojë ata me plumba gome dhe shok-bomba, por kamioni vazhdon të lëvizë përpara. Kur i afrohet barrikadës dhe telave gjemborë dhe ushtarëve të KFOR-it, rreth 15 ushtarë të kontingjentit amerikan të KFOR-it dalin në përpjekje për ta penguar kamionin. Përleshjet në mes të serbëve dhe ushtarëve të KFOR-it fillojnë.
Ushtarët e KFOR-it tentojnë të arrestojnë shoferin ndërsa serbët e mbrojnë atë. Ushtarët amerikanë e marrin shoferin ndërsa grupi i Veselinoviqit tenton të largojë shoferin nga ushtarët sikurse që tentojnë ti marrin armën një ushtari amerikan. Në atë moment dëgjohen të shtëna armësh të vërteta.
Shërbimi Sekret i Serbisë ka vazhduar të tregojë se të shtënat kanë nisur pothuajse njëkohësisht dhe kjo e bën të pamundshme të përcaktohet se cili grup nisi të shtijë i pari. Gjatë shkëmbimit të zjarrit, shtatë serbë u plagosën. Menjëherë pas të shtënave, dikush nga grupi i përmendur i serbëve hedhë një mjet shpërthyes ndaj KFOR-it. Katër ushtarë të KFOR-it lëndohen.
Shërbimi vazhdon të flet, duke përmendur Veselinoviqin si kontrabanduesin kryesor (kryesisht me benzinë dhe cigare) në veriun e Kosovës. Ai edhe pak kohë më parë është përmendur edhe si njeriu që e kërcënoi me vdekje Borko Stefanoviqin, kryenegociatorin serb sikurse edhe Goran Bogdanoviqin, të ashtuquajturin ministër serb për Kosovën.
Nuk është ende e qartë përse ai nuk u arrestua nëse shërbimi sekret kishte këto informata për të, hamendet Blic.
Ndryshe, personi i parë që foli për këto të dhëna të dala nga Bordi i Sigurisë ishte Vuk Drashkoviq, lideri i SPO-së. Ai i tha ditë më parë televizionit B92 se, sipas disa të dhënave nga shërbimi shtetëror serb, serbët i kishin nisur incidentet dhe konfliktin me KFOR-in në pikëkalimin kufitar në Jarinjë. Ai gjithashtu tha se ky është një fakt i cili po fshihet nga qytetarët.