Serbia ndërprenë gërmimet për mbetjet mortore të personave të zhdukur
Prishtinë, 25 maj - Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur i Republikës së Kosovës njofton opinionin publik se Komisioni i Serbisë i ka ndërprerë punimet në lokacionin e shënjuar në afërsi të Minierës në Shtaval, afër Sijenicës, në territorin e Serbisë.
Edhe pse delegacioni i Republikës së Kosovës ka kërkuar në vazhdimësi nga përfaqësuesit e institucioneve të Serbisë, që të ndajnë çdo informatë që mund të kenë në arkivat e tyre, por edhe informatat e siguruara ndërkohë për këtë lokacion, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Mosdhënia e informacioneve shtesë të kërkuara nga Komisioni i Republikës së Kosovës, përveç që tregon mosbashkëpunim të institucioneve të Serbisë, dëshmon edhe mosgatishmërinë dhe mungesën e angazhimit serioz e të sinqertë të palës serbe për të ndriçuar fatin e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës së viteve 1998 – 99 në Kosovë.
Gërmimet që kishin filluar më 10 maj nuk kanë rezultuar me gjetjen e vendvarrezës masive me mbetjet mortore të viktimave të luftës, andaj për shkak të specifikave të terrenit dhe lokacioneve të tilla të përdorura nga forcat ushtarake dhe policore serbe gjatë luftës për zhdukjen e kufomave, në përpjekjen e tyre për fshehjen e gjurmëve të krimit, mbetet krucial sigurimi i informatave plotësuese në veçanti nga arkivat e institucioneve të Serbisë.
Po ashtu, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë presim sigurimin e imazheve plotësuese satelitore për një periudhë më të gjerë kohore për lokacionin në fjalë, si një mundësi për të shënjuar më saktësisht lokacionin e varrezës masive, bazuar edhe në përvojat e mëparshme në dy lokacionet e varrezave masive në territorin e Serbisë, si në rastin e Rudnicës dhe rastin e Kizhevakut.
Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për të vazhduar angazhimin dhe punën, duke i dhënë prioritet ndriçimit të fatit të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës, për t’i dhënë fund ankthit 24 vjeçar të pritjes së familjarëve për të ditur vendndodhjen e më të dashurve të tyre.