Serbia me 1.000 efektivë në Kosovë
Prishtinë, 16 nëntor - Shteti i Serbisë operon ilegalisht në veriun e Kosovës me rreth një mijë trupa efektivë, të angazhuar në katër struktura të ndryshme sigurie.
Autoritetet shtetërore të Kosovës dinë për to e madje edhe për gjithë rrjetin komandues.
Një burim i afërt me strukturat e sigurisë i ka treguar gazetës Koha Ditore të enjten përmbajtjen e informatave bazë mbi strukturat ilegale të fqinjit verior, e madje edhe emrat e komandantëve që i drejtojnë ato.
Të tillët, sipas këtij burimi, veprojnë, kontrollohen dhe financohen nga Republika e Serbisë.
Ai ka thënë se, nga të dhënat e fundit që i posedojnë autoritetet kosovare, në veri veprojnë Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë (MUP); Mbrojtja Civile (MC); shërbimet sekrete serbe (BIA dhe VBA) dhe grupet kriminale/vandaliste.