Serbia bleu 350 shtëpi të shqiptarëve në veri
Mitrovicë, 25 tetor - Mbi 350 shtëpi dhe shumë më shumë banesa të shqiptarëve në pjesën veriore të Mitrovicës Qeveria e Serbisë i ka blerë duke u ofruar shuma marramendëse të parave.
Më së shumti shtëpi, sipas burimeve të gazetës Zëri, shqiptarët i kanë shitur në Lagjen e Boshnjakëve mbi 120, por numër të madh të shtëpive të shqiptarëve Qeveria serbe i ka blerë edhe në lagjet tjera veriore me shuma marramendëse.
Shqiptarët e veriut thonë se janë shitur mbi 60 për qind e pronave të tyre në mesin e të cilave edhe banesa, të cilat paraprakisht janë uzurpuar nga serbët.
Në këtë mënyrë, duke blerë shtëpitë e shqiptarëve Serbia bën spastrimin etnik në veri të Mitrovicës.
Sipas shqiptarëve të veriut, pronat e tyre po shiten me ndërmjetësimin e matrapazëve dhe të avokatëve, ndërkohë që trendin e shitjes së pronave të shqiptarëve në veri nuk mund ta ndalë askush, madje as nuk bëhen përpjekje.
/Zëri/