06 Maj 2024

Serbia arreston biznesmenin më të pasur Miroslav Mishkoviç

Beogard, 21 dhjetor - Miroslav Mishkoviç, një nga biznesmenët më të pasur të Serbisë dhe pronar i Grupit Delta, është arrestuar për 30 ditë me dyshimin për kundërvajtje ligjore gjatë procesit të privatizimit të disa kompanive dhe dëmtim 33 milionë eurosh të arkës së shtetit.

Pretendohet se Mishkoviçi, i njohur prej gati 20 vitesh si njeriu i paprekshëm i Serbisë, paguante disa politikanë për të siguruar mbështetje politike në jetën e tij të biznesit. Pritet që në hetim të përfshihen edhe investimet e Mishkoviçit në vende si Bosnjë-Hercegovina dhe Mali i Zi.

Tashmë populli i Serbisë pret me padurim përgjigjen e pyetjes: “A do të shpallen me të vërtetë fajtorë Mishkoviçi dhe personat e tjerë, që e kanë ndihmuar atë të pasurohet pa masë?”

Një nga fenomenet, që u përjetua në Ballkan gjatë procesit të tranzicionit nga ekonomia e centralizuar e periudhës komuniste në ekonominë e tregut, ishte shfaqja e menjëhershme e kapitalistëve të fuqishëm.

Besohet se edhe Miroslav Mishkoviçi të paktën një pjesë të kapitalit të tij e ka fituar me rrugë të dyshimta. Dhe faktikisht Mishkoviçi u bë një ndër më të pasurit e Serbisë falë afrimit të tij me Slobodan Milosheviçin, në një kohë kur zhvillohej tregtia e jashtëligjshme për shkak të embargove, që Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimi Evropian zbatonin kundër ish-Republikës Federale të Jugosllavisë në vitet 1990. Po ashtu besohet se Mishkoviçi e ka shtuar kapitalin e tij me anë të privatizimeve të bazuara në mbështetje politike.

Ai arriti të krijojë afrimësi edhe me politikanët, që erdhën në pushtet pas rënies së udhëheqjes së Milosheviçit në vitin 2000.

Sipas zv/kryeministrit, ministrit të Mbrojtjes dhe njëherësh koordinatorit të Shërbimeve të Sigurisë, Aleksandar Vuçiç, e keqja e të këqijave është se Mishkoviçi u paguante disa politikanëve rregullisht çdo muaj shuma monetare, që ndryshonin nga 30.000-60.000 euro.

Nëse vërtetohet që Mishkoviçi i ka mbështetur politikanët me para dhe publikohen emrat e autoriteteve politike, që i kanë pranuar shumat në fjalë, atëherë në skenën politike të Serbisë mund të përjetohet një tërmet i fuqishëm.

Aktualisht partitë politike më në zë të Serbisë ndihen të detyruara të deklarojnë një e nga një se nuk kanë marrë para nga Mishkoviçi.

Gjatë disa viteve më parë në Serbi debatohej rëndë mbi marrëdhëniet e ngushta të disa biznesmenëve me politikën, madje kishte dyshime të forta se në disa situata politikën e orientonin pikërisht ata. Përgjithësisht dihet se fushatat e shtrenjta zgjedhore të politikanëve financohen nga biznesmenë të ndryshëm.

Ndërsa në këmbim të kësaj besohet se përmbajtja e rregullimeve ligjore lidhur me fushën e ekonomisë dhe botën e biznesit përcaktohen në mënyrë që të jenë në favor të afaristëve, të cilët kanë garantuar mbështetje financiare.

Si shembull për këtë mund të themi se qytetarët serbë janë të mendimit që disa biznesmenë në Serbi, të mbrojtur nga rregullimet ligjore që kanë nxjerrë politikanët, arrijnë të bëjnë biznes nën marzhe shumë të larta përfitimi.

Si rrjedhojë pritet që në hetimet e korrupsionit të përfshihen edhe deputetët, që kanë votuar ligjet, falë të cilave Mishkoviçi është pasuruar gjithnjë e më shumë.

Zv/kryeministri Aleksandar Vuçiç është emri, që i dha start një lufte më serioze kundër korrupsionit të rrënjosur në Serbi, përfshirë këtu edhe rasti i Mishkoviçit. Dhe me sa duket, falë nismave të tij antikorrupsion, Vuçiç ka fituar pëlqimin dhe besimin e një pjese të konsiderueshme të popullit serb.

Por politikanët, që i sollën Serbisë demokracinë në periudhën pas vitit 2000, luftën e Vuçiçit kundër korrupsionit e vlerësojnë si një nismë për të qëruar llogaritë me rivalët politikë.

Është më se e vërtetë që privatizimet më të mëdha në Serbi janë realizuar pas vitit 2000 dhe në disa raste nuk kanë qenë transparente sa duhet, por në rast se Aleksandar Vuçiçi kërkon me të vërtetë ta çrrënjosë dhe flakë tutje korrupsionin në vend, atëherë ai duhet të hetojë edhe vitet 1990, gjatë të cilave edhe vet ishte pjesë e udhëheqjes.

Për më tepër, i arrestuari Miroslav Mishkoviç është një nga pasanikët e krijuar pikërisht nga regjimi i viteve 1990.

Ndërsa një tjetër kritikë e rëndësishme ndaj Vuçiçit ka të bëjë me mënyrën se si ai lufton kundër korrupsionit.

Në vend që të ndjekë rrugët dhe nivelin institucional, zv/kryeministri serb e lufton korrupsionin duke u bazuar në ambicie individuale.

Padyshim që një luftë e vërtetë antikorrupsion nuk mund të realizohet pa praninë e vullnetit politik, por një luftë afatgjatë, efektive dhe e qëndrueshme kundër korrupsionit mund të ndërmerret vetëm kur ajo mbështetet me rregullime të përshtatshme ligjore dhe institucionale.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)