Serbët vendosin tre barrikada të reja në Jagnjenicë
Prishtinë, 1 dhjetor - Mediat serbe kanë bërë të ditur se serbët e veriut të Kosovës kanë vendosur tre barrikada të reja në Jagnjenicë.
Sipas këtyre mediave barrikadat janë vendosur në rrugën Mitrovicë-Zubin Patok ndërsa shtojnë se serbët kanë kryer ritualin e të ashtuquajturës kujdestari por me një numër më të vogël.
Ndërkohë mësohet se kryetari ilegal i Zubin Potokut është takuar me komandantin e KFOR-it në lidhje me këto barrikada.
Serbët e veriut, njoftojnë media e Beogradit, janë të zhgënjyer me presidentin e Serbisë Boris Tadiç për apelin që u bëri këtyre të fundit për heqjen e barrikadave ndërsa vendimin rreth këtij apeli pritet ta marrin pas takimit të përfaqësuesve të të ashtuquajturës bashkësi komunash.
Gazeta Beogradit "Danas", shkruan se qeveria e Serbisë ka paralajmëruar masa të rrepta administrative nëse serbët nuk do t`u binden administratës lokale, ndërsa bashkësia ka thënë se është e gatshme për masa të tjera alternative të rezistencës.
Udhëheqësit ilegalë kanë paralajmëruar se padia kundër Borislav Stefanoviçit do të bëhet sapo të ketë informacione të sakta për rezultatet e marrëveshje të sotme Kosovë-Serbi në Bruksel.