Serbët ndalojnë konvojin e KFOR-it në Zupq
Prishtinë, 17 nëntor - Serbët e veriut kanë ndaluar rreth mesnate te barrikada në fshatin Zupq një konvoj të KFOR-it që qarkullonte nga Mitrovica në drejtim të pikës kufitare Bërnjak.
Burime të Kosovapress-it kanë bërë të ditur se pas verifikimit të konvojit dhe një bisede mes përfaqësuesve të KFOR-it dhe kryetarit paralel të komunës së Zubin Potokut, Sllavisha Ristiq, që ka zgjatur rreth gjysmë ore, konvoji është lejuar të vazhdojë rrugën për në Bërnjak.
Pas arritjes së konvojit të KFOR-it në Zupq, është aktivizuar sirena dhe pas kësaj është rritur numri i serbëve te kjo barrikadë, ndërkohë që prezencë e shtuar të qytetarëve serbë është vërejtur edhe në barrikadat tjera si në Jegenicë, Rudare dhe Leposaviq, kanë thënë burimet.