Serbët mbajnë të bllokuar pikën kufitare në Jarinjë
Mitrovicë, 4 dhjetor - Një grup i serbëve të pakënaqur me marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufijve është përpjekur të demoloi vendkalimin kufitar në Jarinje.
Kjo mësymje e serbëve është bërë nga territori i Serbisë, mirëpo nuk ia kanë arritur qëllimit.
Për normalizimin e situatës ka ndërhyrë edhe xhandarmëria serbe ndërsa në orët e para të mëngjesit në vendngjarje kanë shkuar edhe krerët illegal të komunave veriore të Kosovës.
Ata po mbajnë të bllokuar pikën kufitare duke mos lejuar qarkullimin e automjeteve në këtë pikë, ndërsa serbët në veri të Mitrovicës kanë bërë thirrje për tu mbledhur në Jarinjë dhe për të bllokuar qarkullimin e automjeteve.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, ka thënë për Indeksonline se për momentin në Jarinje situata është e qetë, transmeton Indeksonline.
Në mesin e qytetarëve, të cilët u mblodhën sot në mëngjes për të protestuar në Jarinje, shumica janë anëtarë të katër komunave në veri të Kosovës.
Ata u mblodhën në orët e hershme të mëngjesit për të shprehur siç thonë mospajtim për marrëveshjen që ka të bëjë me Menaxhimin e Integruar të Kufirit.
Protestuesit thonë se nuk duan të vendosin kufirin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Ndërkohë mediat raportojnë se situata në pikën kufitare në Jarinje paraqitet e tensionuar.
Ndërkohë më datën 10 dhjetor pritet të nisë zbatimi i Marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit (IBM).