Serbët kundër arrestimit në Zubin Potok
Prishtinë, 17 maj - Kryetari i komunës së Zubin Potokut, Sllavisha Ristiç ka konfirmuar se policia e EULEX-it ka arrestuar Jevro Panteliçin nga kjo komunë dhe e ka cilësuar si të papranueshëm arrestimin e tij.
Misioni evropian për sundim të ligjit, EULEX, ka njoftuar sot se me asistencën e trupave të KFOR-it, ka arrestuar një person, që dyshohet se është i përfshirë në krim të organizuar.
Për ne kriminelë janë ata që shesin drogë dhe armë, dhe paraqesin rrezik për sigurinë, e të tillë nuk ka në rrethinën e Ibrit, tha Ristiç.
Ai ka thënë se për serbët është e papranueshme që të paguajnë tatim për shtetin e Kosovës.
EULEX ka njoftuar se arrestimi është bërë si rezultat i hetimeve të kryera rreth krimit të organizuar, kontrabandës me karburante, shmangies së tatimit dhe shmangies mashtruese të taksave të importit dhe akcizës.