Serbët e Zubin Potokut lirojnë me dhunë një të paraburgosur
Zubin Potok, 13 mars - Kryetari i Komunës së Zubin Potokut, në pjesën veriore të Kosovës, Stevan Vulloviq, ka njoftuar se banorët lokalë mbrëmë kanë depërtuar me dhunë në stacionin e policisë në këtë qytet dhe e kanë liruar personin, Sllobodan Sovërliq, i cili më herët gjatë ditës, ishte paraburgosur për shkak të prishjes së rendit dhe qetësisë publike.
Në deklaratën për gazetarët, zoti Vulloviq, tha se disa makina të EULEX-it ishin tërhequr nga ky qytet.
Ai e ka përshkruar situatën e mëpastajme si të qetë dhe tha se qytetarët, që e kishin bllokuar stacionin e policisë së Kosovës në Zubin Potok, ishin shpërndarë.
Stevan Vulloviq ka thënë se pjesëtarët e policisë së Kosovës janë në kërkim të të paraburgosurit të ikur, Sllobodan Sovërlliq.
Raportohet se ka pasur dëme materiale.