Serbët e Leposaviqit vazhdojnë të pajisjen me dokumente kosovare
Mitrovicë, 24 nëntor - Pas marrëveshjes së prillit për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është rritur interesimi i qytetarëve serbë të veriut për tu pajisur me dokumente të Republikës së Kosovës.
Zyra e Republikës së Kosovës për regjistrim civil në fshatin Bistricë të Leposaviqit, është shndërruar në pikë të rëndësishme shërbimi për qytetarët serbë të veriut. Aty janë rritur kërkesat e qytetarëve serbë për tu pajisur me dokumente kosovare.
Lulzim Hetemi përfaqësues i banorëve të Bistricës, Koshtovës dhe Cerajës, thotë se pas marrëveshjes për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, vërehet një shtensionim i situatës.
Situata është pak më mirë prej që është ba marrëveshja, po doket që janë liruar edhe popullata serbe. Serbët po vazhdojnë me ardh me marr dokumente prej të hënës deri të premten, theksoi ai për Radio Kosovën.
Hetemi tregon se kohëve të fundit nuk kanë pasur telashe as sa i përket qarkullimit nëpër magjistralen Mitrovicë-Leposaviq, ku banorët e atyre tri fshatrave vazhdojnë lëvizin me një minibus. Ai shfaq brengën për rrugën malore e cila pasi të prishet moti nuk mund të kalohet.