Serbët e arrestuar në Graçanicë mbrohen në liri
Prishtinë, 9 janar - Të dhjetë serbët, që janë arrestuar në Graçanicë, janë liruar dhe do të mbrohen në liri, ka thënë politikani serb nga pjesa veriore e Kosovës, Kërstimir Pantiq.
Sipas tij, ata janë të pandehur për mosrespektim të urdhërave të policisë së Kosovës dhe cenim të rendit publik dhe qetësisë, raporton agjencia Beta.
Nderkaq, policia e Kosovës tha se e kishte arrestuar një grup të të serbëve, të cilët e kishin përcjellur drejtorin e Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vullin, gjatë qëndrimit të tij në Kosovë për Krishtlindjet ortodokse. Sipas policisë, sjellja e tyre ishte e dyshimtë dhe u ishte përcaktuar masa e paraburgimit prej 48 orësh.
Pas marrjes në pyetje te një gjyqtar hetues në Prishtinë, mbrëmë ata janë liruar dhe mbrohen në liri.