Serbët bëjnë barrikadë 5 metra e lartë në Veriun e Kosovës
Mitrovicë, 5 nëntor - Një barrikadë me lartësi prej 5 metrave është ngritur në afërsi të vendkalimit Bërnjak në aksin rrugor Zubin Potok- Ribariq.
Serbët kanë ngritur këtë barrikadë në këtë pjesë të veriut të Kosovës, vetëm disa orë pasi që KFOR largoi një barrikadë tjetër.
Ministri i qeverisë serbe, Goran Bogdanoviq demantoi pohimet e zëdhënësit të KFOR-it, Uwe Nowitzki, i cili ka thënë se institucionet serbe kanë qenë të koordinuara me KFOR-in dhe se kanë ditur për aksionin e sotëm të heqjes së barrikadës në Bërnjak.
Askush nga KFOR-i nuk ka kontaktuar me institucionet e Serbisë lidhur me këtë, tha Bogdanoviq për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug, duke e vlerësuar jo korrekte deklaratën e Nowitzkit.