Selimi: Hyseni, kurrë nuk do të arrijë të jetë një ministër i mirë
Prishtinë, 20 korrik - Skënder Hyseni, ndoshta mund të jetë një diplomat i mirë, por kurrë nuk do të arrijë të jetë një ministër i mirë, i cili është i zoti për të përballuar sfidat e sigurisë, ka thënë deputeti Rexhep Selimi, anëtar i Komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e punëve te brendshme, të sigurisë dhe FSK-së.
Ky reagim vjen një javë pas aksionit publik të Policisë së Kosovës për arrestimin e pesë personave pranë liqenit të Badovcit, nën dyshimin se kishin planifikuar akt terrorist në Kosovë dhe heshtjen e ministrit të Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, shkruan sot Koha Ditore.
Ky aksion policor ishte pasuar edhe me deklarata kundërthënëse nëse te të dyshuarit është gjetur edhe ndonjë substancë helmuese dhe se a ishte planifikuar helmim masiv i qytetarëve.
Madje, ndërprerja kolektive e ujit në Prishtinë, më 11 korrik, bëri që qytetarët të përfshihen nga paniku. Ndërkohë u konfirmuan edhe kërcënimet ndaj objekteve vitale të Republikës së Kosovës nga grupe të afërta me ISIS.
/Koha Ditore/