Sektori i Fuqizimit përbën njërin prej dy shtyllave të EULEX-it
Prishtinë, 14 shtator Zëvendëskryeministri i Parë i Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi priti në takim lamtumirës udhëheqësin e Sektorit për Fuqizim në EULEX, Peter Bach, me rastin e përfundimit të mandatit të tij.
Zëvendëskryeministri Kuçi falënderoi z. Bach për punën e tij të palodhshme në fuqizimin e sundimit të ligjit, duke punuar me përkushtim me institucionet shtetërore në ngritjen e qëndrueshmërisë dhe llogaridhënies së tyre.
Z. Bach falënderoi zëvendëskryeministrin Kuçi për bashkëpunimin e vazhdueshëm me synim fuqizimin e sundimit të ligjit, duke u shprehur që me përkushtim të vazhdueshëm Kosova ka një të ardhme të ndritur.
Në fund, zëvendëskryeministri Kuçi i ndau z. Bach një mirënjohje për kontributin e tij në fuqizimin e sistemit të drejtësisë dhe zhvillimin demokratik të vendit. Sektori i Fuqizimit përbën njërin prej dy shtyllave të EULEX-it.