Seanca e Kuvendit për "Drenica 1 dhe 2" cenon rëndë pavarësinë gjyqësorit
Prishtinë, 26 tetor - Organizata Demokraci Plus (D+), reagon me shqetësim ndaj vendimit të sotshëm të Kryesisë së Kuvendit për organizimin e seancës së jashtëzakonshme që për pretekst kanë vendimet e fundit të organeve gjyqësore në rastet e njohura si \"Drenica 1 dhe 2\".
Ky veprim i Kuvendit sipas D+ cenon rëndë pavarësinë e pushteteve të pavarura të përcaktuara me Kushtetutën e Kosovës.
\"Trajtimi dhe debati politik i vendimeve të institucioneve të pushtetit gjyqësor është ndërhyrje e drejtpërdrejtë në pushtetin gjyqësor dhe paraqet praktikë të rrezikshme për të ardhmen e vendit.\"
\"Për më tepër ky nuk është rasti i parë dhe i vetëm ku Kuvendi i Kosovës hapur dhe drejtpërdrejtë i ndërhyn gjyqësorit\", thekson D+.
Praktika të tilla sipas tyre kanë ndodhur edhe në të kaluarën në raste të ngjashme si debati parlamentarë për rastin \"Kiqina\".
D+ me tutje thekson se ky debat dhe të tjerët të ngjashëm tregon për shpërfilljen e hapur të partive politike dhe Kuvendit të Kosovës për pushtetin gjyqësorë.
Kuvendi i Kosovës si organ më i lartë përfaqësues në vend duhet të kujdeset që parimi i ndarjes së pushteteve dhe pavarësia e tyre, të jenë vlera të pacenueshme në konsolidimin e shtetit të Kosovës.
Demokraci Plus i bën thirrje institucioneve tjera, me theks të veçantë institucionit të Presidentit të vendit, që si garant i funksionimit kushtetues të institucioneve, të shfrytëzoj autoritetin e tij që praktikat e tilla jo-demokratike të marrin fund në jetën politike dhe institucionale në Kosovë.
Po ashtu D+ kërkon reagimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës në lidhje me këtë rast, pasi që mos reagimi nga ana e këtij institucioni do të mund të dërgonte mesazhin se këto institucione i nënshtrohen urdhrave të politikës e në këtë rast Kuvendit të Kosovës.