Saranda goditet nga një tërmet prej 4.8 ballësh
Sarandë, 31 janar - Shqipëria jugore është lëkundur sot në mëngjes nga një tërmet me magnidutë 4.8 ballë të shkallës Rihter.
Specialisti në Institutin e Sizmologjisë Rrapo Ormeni, deklaroi sot në mëngjes në A1 Report, se epiqendra e tërmetit ka qenë në Greqi, disa kilometra larg Leskovikut.
Rrjeti sizmologjik e regjistroi 08:15 lëkundjet e tërmetit, rreth 17 km në lindje të Leskovikut. Në epiqendër, në veri të Greqisë fuqia e lëkundjes së tërmetit ishte 6-7 ballë dhe janë ndjerë në Leskovik, Korçë, Tepelenë, Gjirokastër, Sarandë, Vlorë, deri dhe në Elbasan, deklaroi specialisti Rrapo Ormeni.
Lëkundjet kanë zgjatur deri në 30 sekonda. Tërmeti është ndjerë 5 ballë në Leskovik e Korçë, 4-5 ballë në Gjirokastër, e Pogradec, 4 ballë në Sarandë e Tepelenë, dhe 3-4 ballë në Vlorë.
Lëkundjet e tërmetit janë ndjerë deri në Elbasan. Për momentin nuk ka të dhëna për dëme materiale apo në njerëz.