Sami Lushtaku i kërkon falje publike Jeta Xharrës
Prishtinë, 15 prill - Krytari i Komunës së Skenderaj, Sami Lushtaku në seancën e sotme të bërë ndaj tij, i ka kërkuar falje publike Jeta Xharrës për fjalët që i ka thënë.
Faljen publike Lushtaku ka preferuar ta bëjë përmes avoktatit të tij Arianit Kocit.
Sipas avokatit të tij, ato fjalë kanë qenë një keqkuptim prandaj edhe Lushtaku kërkon falje. Kurse, më pas prokurorja ka filluar leximin e pikave të aktakuzës.
Prokuroria Speciale e Kosovës, pati ngritur aktakuzë me të cilën i akuzonte Sami Lushtakun, Rexhep Hotin, Arizona Dibrën, Avni Azemin, Rizah Hajdarin dhe Qani Mehmedin, se në periudhën maj-qershor 2009 kishin nisur një fushatë mediale kundër Jeta Xharrës duke kryer veprat penale shkelje e statusit të barabartë të banorëve të Kosovës dhe kanosje, të dënueshme në bazë të kodit penal.
Sipas aktakuzës, veprat penale ishin kryer pasi që Xharra kishte udhëhequr një nga edicionet e emisionit Jeta në Kosovë, në RTK, ku kishte paraqitur keqmenaxhimin dhe kushtet e pafavorshme në Skenderaj, komunë e drejtuar nga Sami Lushtaku.
Fushata ndaj saj ishte zbatuar përmes botimit të artikujve për 12 ditë me radhë në gazetën Infopress, ku sipas aktakuzës, ishin përhapur gënjeshtra politike ndaj Jeta Xharrës me shprehjet si Spiune e Serbisë, bombë profesionale, jetëshkurtër etj.