Sami Hamiti në paraburgim katër ditor
Prishtinë, 9 tetor - Pavarësisht aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës e cila paraburgimin ndaj kryesuesit komunal të Prishtinës Sami Hamitit e ka cilësuar të paligjshëm e absurd, Gjykata e Qarkut në Prishtinë sërish ia ka caktuar paraburgimin Hamitit dhe dy biznesmenëve të tjerë të cilët janë arrestuar më 12 shtator.
Paraburgimi është caktuar nga gjyqtari i procedurës paraprake Vehbi Kashtanjeva dhe atë nga data 9 tetor deri më datën 12 tetor kur edhe i skadon Hamitit dhe dy të tjerëve masa e paraburgimit e caktuar një ditë pas arrestimit.
Kërkesën për caktim të paraburgimit e ka bërë prokurori i EULEX-it i cili edhe është duke hetuar këtë çështje.
Mbrojtësi i Sami Hamitit, avokati Tomë Gashi e ka cilësuar të paligjshëm këtë vendim.
Paraburgimi prej katër ditësh, sipas tij, nuk është caktuar asnjëherë nga organet e drejtësisë në Kosovë dhe sipas tij është i paligjshëm.