Salustro kërkon vazhdimin e paraburgimit
Prishtinë, 20 tetor - Prokurori Maurizio Salustro ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë që Grupit të Drenicës ti vazhdohet masa e paraburgimin edhe për dy muaj. Lajmin e ka konfirmuar avokati Tomë Gashi.
Përsëri prokurori i EULEX-it, Salustro ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë që tiu vazhdohet paraburgimi deri më 23 dhjetor Sylejman Selimit dhe gjashtë ish-bashkëluftëtarëve të tij, ka thënë Gashi, avokat mbrojtës i Sylejman Selimit.
Avokati Gashi kërkesën e Salustros për vazhdimin e masës së paraburgimit për Grupin e Drenicës e ka vlerësuar si fyese për sistemin e drejtësisë në Kosovë.
Unë si avokat i z. Selimit i konsideroj joligjore dhe fyese pretendimet e prokurorit se z. Selimi dhe të tjerët që luftuan për çlirimin e Kosovës, mund të ikin nga Kosova për të mos u përballuar me një gjykim të ardhshëm. Po ashtu, prokurori pretendon se mund të ketë ndikim te dëshmitarët në këtë çështje. Prokurori ka paralajmëruar ngritjen e aktakuzës për disa ditë dhe nëse është kështu, atëherë si mund të ndikohet te dëshmitarët, të cilët paskan dhënë deklarata gjatë hetimeve, është shprehur Gashi.
Në këtë kontekst, Gashi ka bërë më dije se ai me avokatët tjerë mbrojtës, do ti parashtrojnë argumentet e tyre ligjore në mënyrë që mos të merret parasysh kërkesa e prokurorit Salustro.
Ne si avokatë do ti paraqesim kundërshtimet tona dhe mbetet që gjykata të vendos. Paraburgimi është duke u përdorur si dënim e jo si masë, thuajse në të gjitha rastet e hapura kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së, ka deklaruar Gashi.(ER)