Salih Mustafa paraqitet sot në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara
Ai u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 24 shtator dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, më të njëjtën ditë.
Paraqitja e parë e Salih Mustafës do të mbahet në seancë publike e cila mund të përcillet përmes transmetimit në Internet, me një vonesë të shkurtër në https://www.scp-ks.org/sq/transmetim.Seanca mund të përcillet edhe nga galeria publike e sallës së gjyqit brenda mjediseve të Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Aktakuza e ngarkon Salih Mustafën me përgjegjësi penale individuale për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, që janë krime lufte sipas të drejtësndërkombëtare.
Në aktakuzën për Mustafën, thuhet se ai si udhëheqës i njësisë BIA, kishte kryer veprimtarinë e tij në Prishtinë, Obiliq e në rajonin e Gollakut, ku ndodhet fshati Zllash.
Pikërisht në këtë fshat, sipas aktakuzës, qëndronte një nga viktimat e luftës, i cili ishte keqtrajtuar e vrarë.
Për këtë arsye Zyra e Prokurorit të Specializuar, Salih Mustafës i ka vënë në barrë edhe akuzën për vrasje.
Kjo është vetëm një nga përgjegjësitë penale me të cilat Zyra e Prokurorit të Specializuar e ngarkon “Komandant Calin”.
Veç kësaj ai po akuzohet për ndalim arbitrar, trajtim mizor dhe torturë.
Sipas aktakuzës, Mustafa dha kontribut në kryerjen e këtyre veprave penale duke komanduar, urdhëruar, kontrolluar dhe duke mos marrë masa adekuate për parandalimin dhe hetimin e krimeve.
Ai po akuzohet se bashkë me ushtarë të tjerë, u hoqën lirinë së paku gjashtë personave pa process ligjor të rregullt.
E të njëjtin po thonë se janë mbajtur të kyçur në stallë me roje ku sipas aktakuzës të njëjtëve nuk ju ofrohej ushqim, kushte higjenike e kujdes shëndetësor mjaftueshëm.
Në bazë të aktakuzës thuhet se viktimat patën pasoja fizike e psikologjike, si pasojë e trajtimit gjatë qëndrimit në qendrën e tyre në Zllash.
Sipas aktakuzës Salih Mustafa mban përgjegjësi penale individuale si epror.