Rusia synon destabilizimin e veriut
Mitrovicë, 30 prill - Dhjetë automjete Lada Niva të dhëna nga Federata Ruse, për formacionin paraushtarak të Serbisë në veri të Kosovës Mbrojtja Civile (Civilna Zastita srb.), janë bërë shkak i shqetësimit të institucioneve ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë.
Mënyra se si Moska ka zgjedhur që të ndihmojë këtë formacion në kohën kur Beogradi dhe Prishtina po dialogojnë për integrimin e tij në institucionet e Kosovës, po vlerësohet si përpjekje për të penguar normalizimin e veriut.
Për më shumë, burime të gazetës Tribuna, kanë bërë të ditur se pas sulmeve të fundit ndaj EULEX-it dhe vendimit të veriorëve që ta shpallin EULEX-in si mision të padëshiruar, mund të priten edhe veprime të tjera destabilizuese në veri të lumit Ibër, pasi që ka sinjale se prapa këtyre veprimeve qëndron Moska.
Burime të sigurta ndërkombëtare i kanë thënë gazetës se janë në dijeni për qëllimin e Rusisë që ta destabilizojë veriun e Kosovës duke arritur kështu dy-tri qëllime.
Sipas të njëjtave burime, qëllimi i parë i Moskës është që të krijojë një vatër tjetër krize të ngjashme me atë të Ukrainës duke e zgjeruar dhe forcuar edhe më shumë argumentin e Rusisë që rasti i Kosovës të përdoret si precedent për invadimin e Krimesë.
/Tribuna/