Rusia konfirmon arrestimin e shtetasve të saj në Kosovë
Prishtinë, 9 gusht - Ambasada e Rusisë në Serbi ka konfirmuar ndalimin e gjashtë qytetarëve rusë në Republikën e Kosovës.
“Një përfaqësues i zyrës së ambasadës ruse në Prishtinë është duke e trajtuar këtë çështje, që prej se qytetarët rusë janë ndaluar. Ai menjëherë është nisur në vendin e ngjarjes”, ka thënë për agjencinë TASS, zëdhënësi i kësaj ambasade, Yuri Pichugin.
“Gjithsej, gjashtë rusë janë ndaluar, dy prej tyre janë banorë lokalë, anëtarë të familjes së një qytetari serb”, ka shtuar ai.
Dje Policia e Kosovës ka ndaluar pesë qytetarë serbë dhe gjashtë rusë, për siç është thënë, kalim të paautorizuar të kufirit shtetëror.
“Policia Kufitare gjatë kontrollit, ditën e hënë, të dy automjeteve “Mercedes”, kombi ngjyrë e bardhë, më targa të Serbisë, janë ndaluar gjithsej njëmbëdhjetë (11) persona të dyshuar, nën dyshimin e bazuar për kalim të paautorizuar të kufirit shtetëror”, thuhet në njoftimin për media.