Rumania do të vazhdojë të mbështesë misionin e KFOR-it
Prishtinë, 9 nëntor - Komandanti i KFOR-it, generalmajor Françesko Paolo Figliuolo pati takim në kampin Kosovafilm, në Shtabin e Përgjithshëm të KFOR-it/NATO-s në Prishtinë, me kryeministrin e Rumanisë, Viktor Ponta dhe ministrin e Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare të Rumanisë, Mircea Dusa.
Gjatë kësaj vizite të parë zyrtare, ata biseduan për situatën e përgjithshme të komuniteteve në Kosovë dhe u pajtuan se roli i KFOR-it si reagues i tretë në mbështetje të Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe të gjitha organizatave vendore the ndërkombëtare është mëse i rëndësishëm.
Gjenerali Figliuolo e falënderoi kryeministrin Ponta edhe për kontributin e vlefshëm, si dhe profesionalizimin e jashtëzakonshëm dhe mbështetjen që Forcat e Armatosura të Rumanisë po e japin për misionin e KFOR-it.
Aktualisht pjesëmarrja e Rumanisë përbëhet nga oficerë të lartë, që shërbejnë në Shtabin e KFOR-it në Prishtinë dhe një njësie në Grupin Luftues Shumëkombësh në Lindje, në Ferizaj.
Shkëlqesia e tij Ponta konfirmoi se Rumania do të vazhdojë të mbështesë misionin e KFOR-it dhe dialogun politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Takimet e kësaj natyre që Komandanti i KFOR-it i mban me përfaqësuesit e Bashkësisë Ndërkombëtare simbolizojnë faktorin kryesor të suksesit për të arritur një qasje sa më gjithëpërfshirëse të ndërlidhur me normalizimin e shoqërisë përmes dialogut dhe bashkëpunimit në rajonin e Ballkanit.