Rrugët kryesore në veriun e Kosovës mbesin te bllokuara
Prishtinë, 10 gusht - Rrugët kryesore në veriun e Republikës së Kosovës që çojnë në vendkalimet kufitare me Serbinë, mbeten të bllokuara, me gjithë paralajmërimet se do të lirohen për të marten.
Përfaqësuesit politikë lokal të serbëve në veri dje nuk kanë arritur të merren vesh për zbatimin e marrëveshjes së arritur të premten ndërmjet KFOR-it, qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesve të qeverisë së Serbisë për tejkalimin e situatës në veriun e Kosovës.
Kjo marrëveshje nënkuptonte në radhë të parë largimin e bllokadave të vëna dy javë më parë nga serbët në veri në kundërshtim të synimeve të qeverisë së Kosovës për vënien nën kontroll të vendkalimeve kufitare më Serbinë në veriun e banuar me shumicë serbe.
Përfaqësuesit lokalë të serbëve, kishin paralajmëruar dje një takim për të vendosur lidhur me largimin e bllokadave.
Ky paralajmërim u bë i ditur pas një takimi që të dielën është zhvilluar në Beograd ndërmjet presidentit të Serbisë Boris Tadiç dhe përfaqësuesve të serbëve në veri të cilët thanë se janë pajtuar për ruajtjen e qetësisë dhe qëndrueshmërisë në veriun e Kosovës, ndërsa i kanë bërë thirrje pranisë ndërkombëtare që të respektojë siç thuhet Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Por, takimi i djeshëm u ndërpre vetëm pak çaste pas fillimit, meqë siç u tha, nuk ka pasur kushte formale ligjore për mbajtjen e tij, meqë në takim nuk kanë marrë pjesë përfaqësuesit e serbëve të Zubin Potokut, një nga komunat me shumicë serbe ku veprojnë pjesëtarë të Partisë Demokratike serbe të Vojislav Koshtunicës.
Para takimit ata kishin shpërndarë një dokument me të cilin e vlerësonin marrëveshjen me KFOR-in si një njohje të planit të Martti Ahtisaarit në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës.
Ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviç, ka theksuar se zhvillimet sotme dërgojnë një mesazh të keq tek qytetarët e Kosovës.
Autoritetet e sigurisë thanë se gjendja në veri është e qetë, ndërsa ende nuk ka filluar zbatimi i marrëveshjes për largimin e bllokadave, duke u bërë thirrje qytetarëve serbë që të respektojnë marrëveshjen.
Thirrje të tilla janë bërë edhe nga Bashkimi Evropian, zyrtarë të të cilit thanë se është me rëndësi që Prishtina dhe Beogradi të bëjnë gjithçka që të qetësohet situata e tensionuar dhe që, pos tjerash, të largohen barrikadat nga veriu i Kosovës.