Rrugët kryesore në veri akoma mbeten të bllokuara
Dy rrugët kryesore magjistrale, Mitrovicë Zubin-Potok dhe Mitrovicë Leposaviq janë ende të bllokuara nga shumë barrikada.
Barrikada që konsiderohet më e madhja, që po e mban të ndarë edhe më shumë qytetin e Mitrovicës, ajo mbi urë, mbetet aty qe katër muaj. Vetëm një rrugë është zhbllokuar deri tash. Ajo është rrugë lokale që lidh Zubin-Potokun me Zveçanin.
Pavarësisht vullnetit për heqjen e barrikadave, vënësit dhe ideatorët e tyre nuk do të mund të ikin nga përgjegjësia penale për gjithë këtë situatë që shkaktoi edhe viktima e të plagosur. Numri më i madh i atyre që pësuan janë ushtarë të KFOR-it. Në tentativë për largimin e barrikadave shumë prej tyre janë plagosur si pasojë e sulmeve të armatosura.
Përgjegjësinë për hetime atje e ka misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë. Mirëpo të mërkurën nuk kanë preferuar të flasin asgjë lidhur me këtë.