Rritet trafikimi i qenieve njerëzore në Europë
Bruksel, 16 prill - Komisioni Evropian njoftoi mbi rritjen e theksuar të rasteve të trafikimit të qenieve njerëzore në Bashkimin Europian (BE) dhe rënien e statistikës së zbulimit të krimeve të tilla.
Në raportin e tij të parë në lidhje me këtë çështje Komisioni Evropian vëren se pjesa dërrmuese e viktimave të kriminelëve janë gra dhe fëmijë, shumë prej të cilëve u nënshtrohen abuzimeve seksuale.
Për periudhën nga viti 2008 deri në vitin 2010 mbi 20 mijë persona janë bërë viktima të trafikimit të qenieve njerëzore në BE.
Komisionerja evropiane për çështjet e brendshme Cecilia Malmström pohoi se e ka jashtëzakonisht të vështirë të imagjinojë se si mund të ndodhin raste të tilla në vendet e lira dhe demokratike.