Rritet niveli i drogës në Evropë
Bruksel, 11 nëntor - Ekspertët evropianë që monitorojnë përdorimin e drogës në të gjithë kontinentin thonë se metodat e trafikimit po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara dhe se autoritetet po përballen me një rritje të qëndrueshme të numrit të drogave të reja në treg, transmeton BBC.
Qendra Monitoruese Evropiane e Drogës dhe Varësisë nga Droga thotë në raportin e saj vjetor se vihen re teknika të reja dhe të zgjuara trafikimi, përfshirë përzierjen e drogave në plastikë dhe rrobe.
Agjencia e BE-së bën thirrje që politikat në vendet anëtare të bazohen fuqishëm në prova, në një kohë që shkurtimet e fondeve publike mund të zvogëlojnë nivelin e parave që përdoren për të përballuar problemet me drogat.
Raporti thotë se rreth 14 milion të rritur në Evropë kanë provuar kokainën, dhe kjo drogë është më e përdorshme në Danimarkë, Islandë, Spanjë dhe Britani të Madhe.
Numri i vdekjeve për shkak të përdorimit të saj është rritur në 1000 çdo vit, ndërsa pasojat e elementeve që përdoren për ta holluar atë mbeten përgjithësisht të panjohura.
Kanabisi, sipas raportit, mbetet droga më shumë e përdorur në Evropë, ndërsa niveli i përdorimit në Evropën lindore po i afrohet masës që përdoret në vendet e Evropës Perëndimore.
Përdorimi I methampethamine, që është një problem i njohur në Republikën Çeke, po përhapet në vendet fqinje, për shkak të krimit të organizuar.
Po dalin lloje të shumta drogash sisntetike. Programet e trajtimit, megjithatë, ende dominohen nga personat e varur nga heroine.
Mosha e tyre mesatare po rritet, dhe raporti sugjeron se plotësimi i nevojave shëndetësore nga përdoruesit e vjetër do të jetë një sfidë në të ardhmen.
Megjithë ndryshimet në politikat kombëtare ndaj drogës, raporti vë në dukje një vështirësi në Evropë, që i trajton të droguarit si pacientë, në kontrast me regjimet më ndëshkuese gjetkë.