RrGK me aksion kundërshton dënimet e ulëta për vrasësit e grave
Prishtinë, 16 shtator - Gratë në Kosovë po vazhdojnë të vriten nga burrat dhe dhuna në shumë familje kosovare po mbetet përditshmëri tejet e hidhur.
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) vlerëson se për institucionet e drejtësisë duket se jeta e grave në Kosovë vlen pak.
Dënimet e shqiptuara nga institucionet e drejtësisë sipas RrGK- së janë të ulëta dhe përçojnë mesazhin se dhuna ndaj grave është e tolerueshme dhe se nuk merr dënim meritor.
Për ta adresuar këtë, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) do të ndërmarrë një aksion sot para Prokurorisë në Prishtinë, me distancë fizike dhe me maska.
Policia e Kosovës e ka kufizuar këtë organizim në ‘simbolik’ dhe me pjesëmarrje të jo më shumë se pesë personave.