RrGK inkurajon Policinë për hetimin e lokaleve ku dyshohet për prostitucion
Prishtinë, 9 korrik - Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) me shqetësim ka përcjellur lajmet e fundit mbi numrin e madh të lokaleve të masazheve, në të cilat ka dyshime të bazuara se është duke ndodhur trafikim me qenie njerëzore si dhe prostitucion i detyrueshëm- të dy këto dukuri të cilat prekin dhe dëmtojnë më së shumti gratë dhe vajzat.
Bazuar në komunikatën e Policisë së Kosovës të datës 2 korrik, mbi planin operativ “Masazha 21”, RrGK inkurajon Policinë e Kosovës që të vazhdojë me këtë plan, i cili ndikon drejtpërsëdrejti në përmirësimin e mirëqenies së grave dhe vajzave në Kosovë, si dhe luftimin e padrejtësive dhe diskriminimit gjinor ndaj tyre.
Marrë parasysh pjesëmarrjen e ulët të grave dhe vajzave në tregun e punës, si dhe gjendjen e rënduar ekonomike për shumicën prej tyre, gratë dhe vajzat kanë më shumë gjasa që të jenë pre e trafikantëve dhe mashtrimeve të tilla.
Po ashtu, shtojmë këtu se dhuna ndaj grave mbetet ndër format më të shprehura të dhunës që prek gratë, e megjithatë, fatkeqësisht mbetet ndër krimet më pak të ndëshkueshme në vend.
RrGK mbështet këtë aksion të Policisë së Kosovës, si dhe shprehim gatishmërinë ta ndihmojmë atë në çfarëdo forme, duke pasur parasysh punën dhe ekspertizën tonë dekadëshe për përmirësimin e kushteve të jetës për gratë dhe vajzat në Kosovë.