RrGGK reagon kundër dhunës së ushtruar ndaj vajzës në Rahovec
Prishtinë, 14 tetor - Sot, nga mediat e shkruara dhe ato online, Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) u njoftua se ka ndodhur edhe një rast i dhunën ndaj një fëmiu, më saktësisht ndaj një vajze. Dhuna, siç kanë raportuar mediat, mendohet të jetë shkaktuar nga xhaxhai i vajzës, i cili së bashku me dy persona të tjerë godisnin dhe zvarrisnin vajzën pranë grilave të oborrit të shkollës së mesme 12 maji në fshatin Ratkoc, të Komunës së Rahovecit.
Dhuna në familje vazhdon të jetë shumë e shprehur në shoqërinë Kosovare. Sipas hulumtimit të RrGGK Mjaft më me arsyetime të publikuar në vitin 2015, del se dhuna dukshëm është më e shprehur ndaj të rinjëve, ku rreth 72.3% e të rinjëve dhe të rejave në Kosovë të grup-moshave 18-25 kanë përjetuar dhunë në familje ndonjëherë.
Për më tepër, 54.7% e kosovarëve besojnë se vajzat kanë nevojë për më shumë disiplinë sesa djemtë në mënyrë që ato të kenë moral të fortë.
RrGGK dënon rëndë dhunën ndaj vajzave, pasi që është e papranueshme dhe e dënueshme edhe me legjislacionin në fuqi.
Më tutje, RrGGK kërkon që rasti i kësaj vajze të trajtohet me seriozitetin e duhur nga institucionet përkatëse, duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për adresimin e tij.
Gjithashtu, RrGGK inkurajon qytetarët që janë dëshmitarë të këtyre krimeve, të ngirisi zërin dhe tu dalin në ndihmë viktimave të dhunës në familje.