RrGGK publikon raportin e ri mbi dhunën në familje
Prishtinë, 23 nëntor - Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) do të publikojë raportin e ri të titulluar Mjaft më me arsyetime: Një Analizë e Qëndrimeve, Incidencës dhe Përgjigjes Institucionale ndaj Dhunës në Familje në Kosovë.
Raporti do të publikohet gjatë takimit të grupit punues qeveritar që momentalisht po punon në hartimin e Strategjisë dhe Planit Nacional të Veprimit kundër Dhunës në Familje (që do të publikohet në vitin 2016).
Hulumtimi i RrGGK-së synon të ofrojë informata të sakta dhe rekomandime të bazuara në të dhëna, që do të ofrojnë të dhëna për këtë Strategji të re. Kjo Strategji do të zëvendësojë atë të kaluarën, që ishte aprovuar në vitin 2010, dhe që ka skaduar vitin e kaluar.
Në të njëjtën kohë, ky është raporti i dytë hulumtues i RrGGK-së, pas atij të publikuar në vitin 2008 që përfshiu mbarë Kosovën, të titulluar Siguria fillon në shtëpi, i cili ka shqyrtuar kornizën ligjore, nivelet e vetëdijesimit në lidhje me dhunën në familje, format e saj, dhe performancën e institucioneve që ofrojnë ndihmë. Raporti i ri shqyrton ndryshimet që kanë ndodhur që nga viti 2008.
Ky hulumtim gjithëpërfshirës poashtu monitoron zbatimin e kornizës ligjore që lidhet me adresimin e dhunës në familje dhe shqyrton performancën e institucioneve individualisht lidhur me kryerjen e detyrave të tyre.
Raporti përfundon me rekomandime konkrete për përmirësimin e përgjigjes institucionale ndaj dhunës në familje në Kosovë, përfshirë edhe rekomandimet drejtuar institucioneve individualisht.
Titulli i referohet nevojës për tolerancë zero dhe thirrjes Mjaft më me arsyetime: si për qytetarët lidhur me arsyetimet se pse ndodh dhuna (p.sh. alkooli, papunësia), ashtu edhe për institucionet lidhur me atë se pse nuk i kanë përmbushur rolet dhe përgjegjësitë e tyre zyrtare.
Hulumtimi u zhvillua në vitin 2015 dhe përfshinë anketimin e 1,315 qytetarëve mbi moshën 18 vjeçare në mbarë Kosovën, nga të gjitha përkatësitë etnike (51.6% gra dhe 48.4% burra). Hulumtimi ka mbuluar si zonat rurale (59.2%), ashtu edhe ato urbane (40.8%).
Hulumtimi poashtu ka përfshirë më shumë se 200 intervista me përfaqësues të institucioneve publike që kanë përgjegjësi për zbatimin e kornizës ligjore, të shoqërisë civile dhe të akterëve të tjerë kyç.
Ky hulumtim është financuar nga Austrian Development Agency (ADA). Publikimi po realizohet në bashkëpunim të ngushtë me Koordinatorin Nacional kundër Dhunës në Familje, Agjencinë për Barazi Gjinore pranë Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe UN Women