RrGGK kundër ngacmimit seksual të së miturës nga deputeti Bekim Muja
Prishtinë, 10 mars - Një ditë pas 8 marsit, ditë kur Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) në bashkëpunim me anëtaret dhe disa organizata dhe aktiviste/ë të të drejtave të grave dhe njeriut marshuan kundër dhunës me bazë gjinore duke u bërë thirrje Mjaft më me arsyetime! institucioneve dhe shoqërisë kosovare, disa media kosovare raportuan se asambleistit Bekim Muja nga rradhët e partisë politike LDK në Mitrovicë me datë 9 mars me urdhër të Prokurorit të Shtetit i është caktuar ndalimi policor prej 48 orëve nën dyshimin se ka ngacmuar seksualisht një 13-vjeçare.
Ngacmimi seksual është një akt që duhet të dënohet sipas ligjeve në fuqi, e në veçanti duhet të trajtohet me seriozitet të shtuar kur viktimë e kësaj vepre të kundërligjshme janë fëmijët. Përjetimi i ngacmimit seksual lë pasoja të rënda në mirëqenien e viktimës, ndërsa tek viktimat e mitura kjo mund të ndikoj në izolimin e tyre nga frika e ngacmimit, duke i lënë ata/ato edhe jashtë proceseve mësimore dhe aktiviteteve tjera sociale.
RrGGK çmon lartë intervenimin e duhur nga ana e policisë dhe të prokurorisë në marrjen e masave për këtë rast, duke shpresuar që drejtësia do të bëjë punën e duhur në dënim të deputit në fjalë, dhe se pozita e tij nuk do të implikojë procedurat e hetimit dhe të dënimit, në rast se ai do të shpallet fajtor.
Disa javë më parë RrGGK publikoi raportin Ngacmimi seksual në Kosovë, të dhënat e të cilit tregojnë se 48.5% e kosovarëve kanë përjetuar ngacmim seksual, ndërsa prej tyre 64.1% ishin gra dhe vajza.
RrGGK inkurajon të gjithë personat që kanë përjetuar ngacmim seksual apo që janë dëshmitarë të rasteve të ngacmimit seksual, të kërkojnë ndihmë tek institucionet relevante.
Për të ndihmuar qytetaret/ët në adresimin e ngacmimit seksual, RrGGK në bashkëpunim me organizatën anëtare Girls Coding Kosova dhe Open Data Kosovo dy javë më parë lancuan aplikacionin EcShlirë i cili mund të shkarkohet në telefonat android.
Ngacmimin seksual mund ta raportoni edhe në Policinë e Kosovës përmes thirrjes telefonike në nurmin e telefonit 192.
Ligjet në vijim janë ligje të cilat e dënojnë ngacmimin seksual: Kushtetuta e Kosovës; Kodi Penal i Kosovës; Ligji për Mbrojtje nga Diskriminimi; Ligji i Kosovës për Barazi Gjinore; Ligji i Kosovës për Shërbyesit Civil; Ligji i Punës i Kosovës; Ligji për Rendin dhe Qetësinë Publike.