Rreziku për një konflikt brenda shqiptarëve është i mundshëm
Prishtinë, 4 nëntor - Nëse pozita dhe opozita nuk merren vesh për tejkalimin e krizës parlamentare, atëherë rreziku për një konflikt brenda shqiptarëve është shumë i mundshëm. Madje konflikti mund të eskalojë në një luftë të panevojshme civile, që do të ishte katastrofike për Kosovën.
Kështu ka deklaruar në një intervistë për gazetën Zëri, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe rezistuesi i fundit opozitar në Kuvendin e Kosovës, Ilir Deda.
Ai ishte i vetmi deputet nga opozita i cili jo vetëm që qëndroi në seancën e ratifikimit të MSA-së, por edhe votoi pro dhe bëri që të futet shtesa Republikë në marrëveshje.
Deda për këto dallime me partinë e tij dhe bllokun opozitar ka thënë se është i gatshëm që të bartë përgjegjësinë individuale, edhe pse këto dallime në botën demokratike, sipas tij, janë normale dhe ata që mendojnë ndryshe kanë probleme me të kuptuarit e demokracisë.
Deda ka ftuar kolegët e tij deputetë që të mos jenë piun të liderëve politikë, por të bartin përgjegjësinë individuale.
Ndërkohë ka përmendur Komisionin e Venedikut si propozim i cili do ti jepte fund maratonës së krizës.
/Zëri/