Rreth 100 persona nga Kosova pjesë e luftimeve në Siri
Prishtinë, 22 korrik - Policia e Kosovës, me qëllim informimin e drejtë të opinionit publik lidhur me deklaratën e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Shpend Maxhuni, në Komisionin Parlamentar për Siguri, që ka të bëjë me numrin e personave pjesëmarrës në luftën e Sirisë, sqaron se Policia e Kosovës që nga fillimi, respektivisht nga viti 2012, në vazhdimësi ka përcjellë dhe ka monitoruar zhvillimet në Kosovë, që ndërlidhen me aktivitetet apo lëvizjet e individëve të caktuar të cilët mund të kenë shkuar në Siri nga vendi ynë.
\"Duke iu referuar kësaj periudhe, pra nga 2012 deri më tani, numri i pjesëtarëve që kanë qenë të përfshirë në luftimet në Siri mund të jetë rreth 300 persona, ndërsa numri aktual i personave që dyshohet se tani marrin pjesë në zhvillimet apo aktivitetet e ndryshme në luftën e Sirisë është rreth 100 persona.\"
\"Pra, numri aktual i personave që dyshohet se marrin pjesë në luftën në Siri është rreth 100 persona dhe jo 300 siç raportohet apo keqinterpretohet nga disa mediume-portale, sepse ky numër prej 300 personave përfshin gjithë periudhën kohore, e jo periudhën aktuale\", thekson policia.
Drejtori i Përgjithshëm i PK-së z. Maxhuni, në Komisionin Parlamentar për Siguri informoi edhe lidhur me masat e ndërmarra nga Policia e Kosovës për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në vend, si dhe ka folur edhe për rastin e arrestimeve dhe veprimeve policore në rastin e Badovcit.