Rivarrosen mbetjet mortore të katër personave të zhdukur në Rudnicë
Prishtinë, 19 shtator - Në varrezat e fshatit Zabel i Ulët, Komuna e Drenasit, do të rivarrosen mbetjet mortore të katër personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, të identifikuara në Rudnicë, të Rashkës në Serbi.
Pas procesit të riatdhesimit, nga Serbia për në Republikën e Kosovës, të ndodhur javë më parë dhe ndjekjes së të gjitha procedurave ligjore në respektim të të drejtave të familjarëve të personave të zhdukur, me kërkesë të familjeve të personave të identifikuar, ceremonia e rivarrimit do të organizohet sot, duke filluar nga ora 16:00.